Politikë

A do ta kapim Trenin për në Europë këtë radhë?

340
0

Nga Artur Nura

Komisioni Europian brenda datës 20 nëntor do të duhet të prezantojë zhvillimet e fundit në raport me vendin tonë dhe hapin e radhës për zgjerimin e saj në raport me Shqipërinë. Pra, thuhet qartazi se Treni me të cilin ne mund të shkojmë në Europë këtë radhë po niset… dhe nëse nuk e kapim atë, thuhet gjithashtu se nuk dihet kur do jetë nisja tjetër… Një zhvillim i tillë publik do të thotë në një fare mënyre se stacioni i këtij Treni dhe koha e nisjes së tij nuk mund të ngatërrohet me ndalesa të llojit “Fier” si për pushtetin ashtu edhe për opozitën. Që ne të mos e kapim këtë Tren, nuk besoj se të humburit janë ata që na presin në stacionin e familjes së madhe Europiane. Pritshmëritë e tyre duket se janë dyshuese dhe kjo gjë lexohet si në veprime publike, po ashtu në takime të ndryshme të cilat realizohen pa shumë zhurmë mediatike me faktorët relevantë që mund të nxisin, apo pengojnë një zhvillim të tillë. Në fakt, ata në njëfarë mënyre po u bëjnë apel palëve që të mos humbasin kohë. Sipas tyre kauzat politike lokale nuk mund të përdoren për një kauzë kaq të madhe siç është Europa për shumicën e Shqiptarëve.

Nga ana tjetër është e qartë se vullneti Europian për zgjerim është dobësuar shumë së fundi dhe kjo ndodh për arsye të ndryshme. Mund të përmendet kriza ekonomike, problemet e brendshme elektorale por, problemet “alla Ballkanike”, apo ato të mos–besimit të ndërsjellë midis palëve, të cilat janë të pashpjegueshme për ta, sigurisht që ndihmojnë shumë që ky vullnet politik në Bruksel, apo kryeqytetet domethënëse europiane të dobësohet akoma më shumë. Për rastin e Shqipërisë këtë relacion domethënës e dominojnë dy politikanët tanë më të gjithë-pushtetshëm: Sali Berisha dhe Edi Rama. Dhe, prej asaj që unë shoh në publik dhe prej atyre kontakteve personale që unë kam me autoritete të ndryshme, më rezulton që kryeministri ynë nuk rresht së premtuari Miqve euro-atlantikë se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë cdo gjë që Shqipëria të marrë statusin e Vendit kandidat në BE! Kryeministri këtë gjë e bën edhe në daljet publike në ekranet e shumta që shkojnë deri tek qytetari i fundit! Ndërsa kryetari i Opozitës nuk rresht së treguari Miqve europainë dhe amerikanë mungesën e Demokracisë në Shqipëri si rezultat i pushtetit të pakufizuar të Kryeministrit Berisha! Ndërkohë që në të njëjtën kohë pak vetë nga Opozita, përtej Edi Ramës personalisht, i bie të flasin me autoritet nga Europa dhe SHBA. Z. Rama vazhdimisht në këto takime shumë të rëndësishme shoqërohet nga protagonistë të rinj në moshë dhe në politikë dhe rezulton të jetë zëri i vetëm prej interlekutori opozitar. Po e njëjta fotografi politike shfaqet padyshim edhe në rastin e kryeministrit, por ky rezultat, ose pohim justifikon vetëm atë që thotë Edi Rama dhe aspak atë që bën ai. Personalisht besoj se këtë perceptim mund ta kenë krijuar edhe miqtë tanë të cilët do të duhen të vendosin nëse Treni shqiptar për në Europë do të niset këtë vit, apo ku i dihet se kur… Nuk di të them nëse ky perceptim për z. Rama nga autoritet euro-Atlantike ka bërë që atij ti jetë thënë qartazi se duhet të aprovojnë në parlament ligjet që kërkojnë 3/5 dhe që janë trajtuar si kushte për marrjen e statusit të Vendit Kandidat. Zoti Berisha kërkesave të Miqve Euro-Atlatikë të paktën formalisht ka ditur ti përgjigjet ku e ku më mirë se Z. Rama. Në fakt, z. Berisha ndërsa ishte në Opozitë ju afrua pushtetit kur filloi të dëgjojë më shumë ndërkombëtarët dhe të bënte vetëm politikanin dhe jo Gjyqtarin, Prokurorin apo Avokatin e Mbrojtjes. Nuk dihet akoma nëse Edi Rama e ka mësuar këtë leksion! Nëse jo, nuk është cudi që edhe pas 2013 të kemi të njëjtën qeveri dhe nuk dihet nëse me statusin e Vendit Kandidat ose jo! Kjo varet nga vendim-marrja e Sali Berishës dhe Edi Ramës, por në raport me votën e 2013-ës dhe sigurisht nëse nuk e kapim Trenin Europian të kësaj radhe, sigurisht që opozita do e paguajë me shtrenjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here