Nga Aristotel Mici
Hipoteza se emri kombëtar shqiptar e ka prejardhjen nga simboli emblematik i shqiponjës duhet të vlerësohet drejt dhe jo të lihet në harresë dhe të anashkalohet. Në mbështetje të kësaj hipoteze janë rregullat gramatikore të fjalëformimit, shumë materiale të hereshme historike dhe etnografike si edhe psikologjia mbarëkombëtare.
Para se të trajtojmë në mënyrë të hollësishme idenë lidhur me origjinën e emrit etnik shqiptar, le t`i hedhim një sy të shpejtë edhe emrit kombëtar më të moçëm arbër si dhe emrit të herëshëm të atdheut tonë Arbëri.
Gjithë albanologët janë të mendimit se emërtimi i moçëm i kombit të shqiptarëve arbën-esh ose arbër-esh e ka prejardhjen prej emrit të fisit Alban-oi, që gjeografi aleksandrin i shekullit të dytë Pas Krishtit, Ptolemeu, e ka shkruar në hartën e tij si një fis ilir, që banonte diku në viset midis Durrësit dhe Matit. Pra, prej emrit arbën, që rrjedh nga Alban-oi , me anë të prapashtesës “-esh”, është krijuar etnonimi arbënesh
(toskërisht me rotacizëm = arbëresh). Po prej emrit arbën ka dalë fjala e prejardhur Arbënia (Arbëria) si emër vendi, toponim. Nga e njëjta rrënjë fjale vjen edhe fjala tjetër e prejadhur arbërisht, si ndajfolje mënyre. Kështu stërgjyshërit e shqiptarëve e quanin veten arbëresh, atdheun Arbëri dhe gjuhën me trajtën ndajfoljore arbënisht (arbërisht).
Ndërsa të huajte e kanë quajtur dhe vazhdojnë ta quajnë shqiptarin me trajta fjalësh sipas gjuhëve të tyre, po të mbështetur tek emri i vjetër etnik. Italisht, shqiptari quhet albanese, frëngjisht albanais, anglisht Albanian, greqishtarvanitis, sllavisht arbanas, turqisht arnaut, etj. Po ashtu edhe për emërtimin e vendbanimit të shqiptarëve nga të huajt është mbajtur si bazë rrënja e toponimit të vjetër. Kjo duket po të marrim si shëmbuj trajtat e disa gjuhëve të huaja si në italisht Albania, frëngjisht Albanie, anglisht Albania, greqisht Arvania,turqisht Arnautllik, serbisht Allbanija.
Po në shekujt e fundit, vetë ish banorët e Arbënisë (Arbërisë), arbëneshët / arbëreshët e kanë ndryshuar emrin e vjetër etnik duke përdorur një emër tjetër kombëtar, një etnonim të ri, shqiptar. Ndërkohë, ata kanë ndryshuar edhe emrin e vendbanimit, nga Arbëria, në një toponim tjetër, Shqipëria, kurse për gjuhën e tyre përdorin trajtën ndajfoljore: shqip
Emri i vjetër i vendbanimit të arbëreshëve, Arbënia ka qënë shumë i ngulitur në shekujt e Mesjetës, sidomos po të kujtojmë njësi të mëdha administrative si Dheu i Arbënit1, Principata e Arbërit e vitit 1190.2 Termi “Dheu i Arbërit” si toponim do të ishte sundues për gjatë shekulli të XV si edhe për shumë kohë më vonë. Le të sjellim për këtë rast në mendje një përshkrim të vogël të Gjergj Merulas i cili në një histori të shkurtër, gjashtë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, më 1474, shkruan: ”Turku (…) vendosi të sulmonte atë pjesë të Maqedonisë, që gjendet buzë Adriatikut e që sot quhet Arbëri”3
Për vazhdimësinë e fjalës Arbëni/Arbëri, që tregon vendbanimin e të parëve tanë, flet edhe emërtimi i Këshillit të Peshkopëve “Concilio dei Vescovi,” që u mblodh me nxitjen e Papës, Klementi XI, në vitin 1703 dhe që quhet “Kuvendi i Arbënit”. Kështu, gjer në fillim të shekullit të XVIII emri i vjetër Arbëni është i dokumentuar në shkresa arkivale.
Ndërkaq, duke filluar nga koha e luftrave të Skënsderbeut kundër pushtuesve otomanë, në trevat e Arbërisë, nga gojët e të parëve tanë arbëreshë kish filluar të dëgjohej një emër i ri etnik, shqiptar, që do të zëvendësonte etnonimin e vjetër “arbëresh”. Po, sidoqoftë, sipas Prof. Çabejt, “ne shohim kudo se si emri i moçëm i popullit shkëlqen si një fosil ndën mbulesën e emrit të ri4”. Gjë që vihet re në emra vendesh si edhe në këngët folklorike.Edhe sot e kësaj dite, në Myzeqe nëpër dasma këndojnë:
Nusja jonë arbërore
Arbërore,
E bardhë si qumështore,
Arbërore.
Ndërsa në familjet vlonjate, kur marrin nusen nga fshatrat e Radhimës, Gumenicës, e deri në Kallarat e në Kuç, thonë: “e kemi nusen arbërore, ose arbëreshe”. Deri ca kohe me parë, ”Beratasi e quante banorin e Myzeqesë “arbëresh”…….që mund ta dallonte mirë shqiptarin e thjeshtë prej aromunit, pasi edhe ky banonte në këto vise.”5
Në trajtë fosile do ta gjejmë etnonimin e vjetër në emrin e fshatit Arbana afër Tiranës. Po ashtu e kanë mbajtur gjallë këtë emër të lashtë arbëneshët, që mërguan nga Gegëria e veriut rreth vitit 1700 dhe u vendosën në Zara të Dalmacisë, të cilët e quajnë veten edhe tani “arbënesh”.
Në shekullin e fundit edhe deri sot, emri i vjetër arbën ( arbër) është përdorur edhe përdoret më tepër në sensin nostalgjik, për heroizmin e së kaluarës, si për të nderuar lavdinë e gjyshërve të shekujve të shkuar. Është pikërisht ky adhurim për trimëritë e të parëve që sot shpesh herë prindër të ndryshëm i quajnë fëmijët e tyre me emra të lashtësisë arbërore, si Arbër, Arben, Jamarbër, kurse vajzat i quajnë Arbëresha. Po kështu për këtë arsye emërtohen objekte me rëndësi ekonomike, ose sociale si Hotel Arbëria, vapori Arbëria, restorant Arbëria, paketa cigare Arbëria; po ashtu edhe poeti për krenarinë e së kaluarës historike shkruan: “…lidhet sot me besë arbënore”( At Gj. Fishta, poezi.)