*** Derisa Prof.Dr. Arsim Bajrami (deputet i parlamentit të Kosovës) botërisht ka deklaruar se “Formimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë është legal dhe se nuk paraqet kurrfarë rreziku për Kosovën”, atëherë pse gjithë ajo “gallamë” polemizuese në Kuvendin e Kosovës lidhur me këtë çështje?!
– Pavarësisht se çfarë ka deklaruar dhe se cka shkruan në Kushtetutën e Arsim Bajramit dhe të “ekipit konstitucionalist” të tij, krijimi i bashkësisë së komunave serbe në zemrën e Shqipërisë, nuk është legal, as legjitim, as kushtetues e as demokratik, sepse deri më sot, askund në botë (as në Evropën e sotme të integruar demokratike) nuk ka ndodhur që katundet me shumicë njëetnike, të transformohen në komuna, ashtu siç rastisi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, ku sipas Planit të Marti Ahtisarit, katundet serbe u shndërruan në komuna serbe etnikisht të pastra!!!
– Shikuar në afat të gjatë dhe të shkurtër, një axhendë e tillë strategjike e formimit të Bashkësisë komunave serbe në Kosovë, shpie në copëtimin e territorit të saj nga ana e Serbisë kolonialiste dhe imperialiste. Ky është qëllimi i parë dhe i fundit, pse qarqet zyrtare shtetërore të Beogradit përmes dialogut Daçiq – Thaçi, të ndërmjetësuar nga Catherine Ashton( përfaqësuese ndërmjetësuese e BE-së) po kërkojnë nga BE-ja dhe nga Amerika, që në emër të arritjes së kompromisit politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ta detyrojnë qeverinë e Kosovës, që ajo me çdo kusht, ta pranojë formulën e propozuar të palës serbe-themelimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, e cila do të kishte autorizime dhe kompetenca ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes së saj.
-Sido që të jetë interpretuar dhe justifikuar politikisht dhe “juridikisht” (gjithnjë duke u mbështetur në Planin e Marti Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës së datës 15 qershor 2008) krijimi i komunave njëetnike serbe, si dhe lidhja e tyre në një Bashkësi të veçantë, jo vetëm në veriun, por në tërë Kosovën, jo vetëm se e rrezikojnë Kosovën në kuptimin juridik, kushtetues dhe territorial, por edhe bien ndesh me përmbajtjen e kritereve dhe të standardeve integruese demokratike të formimit të shteteve multietnike dhe pluraliste.
Po, dialog me Serbinë, por me kushte
-Kompromis politik i Kosovës me Serbinë, do të ishte, po qe se së pari, Amerika, NATO-ja dhe BE-ja , do ta detyronin Serbinë, që pa asnjë kusht, ta njihte Republikën e Kosovës, sepse Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë, por është e kundërta, Serbia ishte ajo që Kosovën e Shqipërisë plot 100 vjet e mbajti si plaçkë koloniale jolegale të saj. Së dyti, ta detyronin Beogradin zyrtar, që të bënte decentralizimin e pushtetit shtetëror dhe rajonizimin e Serbisë (Novi Pazari, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Vojvodina etj., ku sipas gjendjes faktike në terren, të drejtat dhe liritë e njeriut janë nën çdo minimum të respektimit të tyre sipas konventave ndërkombëtare dhe rendit të ri botëror). Ndryshe, çdo dialog me Serbinë, është i kotë, steril dhe pa kurrfarë vlere politike, demokratike dhe praktike për bashkëpunimin, sigurinë, paqen, normalizimin dhe për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore në Ballkan.
Edhe pas mbarimit të tre luftërave të saj agresive dhe gjenocidale (në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë), Serbia është ajo që, ende (sipas klisheve ultranacionalsite dhe hegjemoniste të regjimit të Slobodan Milosheviqit) po vepron në prishjen e ekuilibrit të marrëdhënieve politike dhe strategjike të partnerëve evro-perënidmorë në Ballkan (Amerika dhe NATO-ja).
-Derisa Beogradi zyrtar dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë pranuar themelimin e bashkësisë së komunave serbe si zgjidhje politike të favorshme për serbët e Kosovës, atëherë politika zyrtare e qeverisë, e parlamentit dhe e presidencës së Kosovës, fare nuk e kanë të vështirë, që ta kuptojnë esencën e zhvillimit të dialogut Daçiq – Thaçi në Bruksel nën patronatin e shefës së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton. -Fjala është për decentralizimin e sistemit të pushtetit shtetëror dhe për rajonizimin gjeopolitik dhe territorial të Republikës së Kosovës, jo për kurrfarë organizate joqeveritare a humanitare, por thejsht për një Organizatë-Bashkësi të gjerë politike me kompetenca dhe me autorizime ekzekutive dhe legjislative si pandan i sistemit ekzitues të Republikës së Kosovës.
Prandaj, pavarësisht nga fakti se, çfarë thotë dhe, çfarë dikton dhe sugjeron “Plani i Marti Ahtisarit” apo dialogu politik i kryeministrit Hashim Thaçi dhe i kryeministrit serb, Ivica Daçiq, shqiptarët nuk duhet të pranojnë kurrfarë “Asociacioni”-Bashkësie njëetnike të komunave serbe në Kosovës, sepse kjo do të ishte bombë me sahat për asgjësimin e sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës.
Së pari, njohja e Kosovës nga Serbia, pastaj dialogu me Beogradin!
-Kjo do të duhej të ishte ecuria metodologjike e hapjes së çdo dialogu a bisedimesh për normalizimin e marrëdhënive politike, ekonomike dhe diplomatike me Serbinë. – Jo të hyhet në dialog me Serbinë, duke marrë “yrysh” sipas “Planit të Marti Ahtisarit”, i cili me anën e “decentralizimit” ka lënë të hapur statusin territorial të Kosovës, duke krijuar mundësinë e rajonizimit të saj mbi baza njëetnike serbe. Këtë e dëshmon edhe fakti se, disa fshatra me shumicë etnike serbe, janë transformuar në komuna (Graçanica, Shterpce, Ranillug, Kllokot, Gorazhdevc, Zvecan, Zubin Potok etj.), të cilat, tash po kërkojnë edhe formimin e Bashkësisë së tyre, me qëllim që të fitojnë statusin e tyre politik, administrativ, kulturor dhe territorial të pavarur nga pushteti shtetëror i Republikës së Kosovës.
Ky është qëllimi strategjik dhe gjeopolitik i krijimit të Bashkësisë së komunave Serbe, i cili gradualisht, do të shpiente drejt autonomisë rajonale-kantonizimit të Kosovës.
-Logjika e shëndoshë politike e thotë se, derisa Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (ngase sipas Kushtetutës së Serbisë në fuqi, “Kosova është pjesë e territorit të Serbisë”), çdo dialog me Serbinë, është vetëm në interess dhe në favor të politikës së Serbisë kundrejt Kosovës.
Edhe para se të fillojnë negociatat politike (Eshton-Thaci-Daçiq në Bruksel për Veriun e Kosovës, në tetor të vitit 2012), unë, përmes shkrimeve të mia kam pohuar se, derisa Kosova të figurojë në Kushtetutën e Serbisë, si “pjesë territoriale, administrative dhe shtetërore e saj”, realisht as ligjërisht nuk mund të ketë kurrfarë normalizimi substancial, të efektshëm dhe të ndërsjellë të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Pavarësisht nga premtimet, simulimet dhe interpretimet e ndyrshme politiko-propagandistike dhe diplomatike të inicuesve, të organizuesve, të monitoruesve dhe të mbëshstetësve të dialogut të tanishëm politik midis Beogradit dhe Prishtinës, që po mbahet në nivel kryeministror (Daçiq – Thaçi) nën “stafetën” e ndërmjetësues (kryeshefes për politikë të jashtme) të BE-së, Catherine Ashton në Bruksel, Kosova nuk do të ketë kurrfarë përfitimi politik nga ai dialog mbase ai është vetëm në interesin afatgjatë të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të Serbisë, në mënyrë që statusi politik i Kosovës. të mbetet i hapur për debat ndërkombëtar, përkatësisht për Organizatën e Kombeve të Bashkuar (OKB), kur dihet se, Këshilli i Sigurimit, ende nuk e ka shfuqizuar Rezolutën 1244 , e cila si e tillë, është pengesa kryesore, që Kosova, edhe pas pavarësimit të saj si shtet sovran, të mos aderojë si anëtare me të drejta dhe detyrime të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Me gjithë opinion pozitiv këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010 në favor të shpalljes së ligjshme të pavarësisë së Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, derisa Kosova, të mos njihet nga OKB-ja, statusi i saj ndërkombëtar do të jetë i diskutueshëm, edhe pse atë gjatë pesë viteve të shkuara (2008-2013) e kanë njohur 90 shtete të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare.
Pavarësisht nga shtytja dhe nga mbështetja e jashtme ndërkombëtare (Amerika dhe BE-ja), që Kosova të hyjë në dialogë dhe në negociata me Serbinë në mënyrë që të arrihet normalizimi i marrëdhënive midis Prishtinës dhe Beogradit, edhe pse, sipas Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, ai de fakto dhe dejure, është i mbyllur më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall si shtet i pavarur dhe sovran,të cilin, ndër shtetet e para të bashkësisë ndërkombëtare, Amerika dhe BE-ja e njohën ndërkombëtarisht në mënyrë unilaterale (nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare), ai dialog nuk do të duhej pranuar as nga Amerika, as nga BE-ja e as nga pala shqiptare, sepse nuk sjell asgjë të mirë dhe pozitive për interesin e përgjithshëm të shtetit dhe të popullit të Kosovës e as të aleatëve-miqëve tone evro-perëndimorë (Amerika dhe NATO-ja).
Pse “bashkësi komunash serbe” në Kosovë?
Derisa politika zyrtare (qeveria, parlamenti dhe presidenca e Serbisë nën drejtimin e Tomislav Nikoliqit, Ivica Daciqit dhe Nebojsha Stefanoviqit), elita politike, akademike dhe kishtare serbe e Beogradit njëzëri kanë pranuar se (“Zajednica opština je dobro politicko resenje za sve Srbe”) “Bashkësia e komunave serbe, është zgjidhje e mirë për të gjithë serbët”, atëherë, është tejet e lehtë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar se kjo “zgjidhje politike” mbi baza njëetnike, në asnjë formë, nuk është e pranueshme për sistemin politik, juridik dhe kushtetues shtetëror të Republikës së Kosovës e as për strategjinë dhe agjendën e krijimit dhe të koekzistencës së shtetit multietnik ngaqë do synonte ndarjen mbi baza etnike, territoriale dhe shtetërore të Kosovës. Në këtë rast, në praktikë, do të dështonte modeli multietnik dhe pluralist për ndërtimin dhe për promovimin e të cilit më së shumti kanë investuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet më të fuqishme ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht të Evropës Perëndimore në kuadrin e Bashkësisë Evropiane (BE) dhe të NATO-s.
-Jo, “Planit Z4” as të “Republika srpska” në Kosovë!
Pavarësisht nga interpretimet e filozofisë politike spekuluese dhe mashtruese të disa përfaqësuesve të presidencës. të qeverisë dhe të parlamentit të Kosovës, se gjoja sipas “Planit të Marti Ahtisarit”, krijimi i “Asociacionit të komunave serbe” nuk po e rrezikuaka qenien e pushtetit shtetëror të Kosovës, themelimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë pretendon të jetë simetrik me “Planin Z4” të autonomisë politike dhe territoriale të minoritet serb në Kroaci, të cilin ekstremistë, agresorët dhe okupatorët serbë me në krye Slobodan Milosheviqin, e patën refuzuar, sepse pretendonin, që ta pushtonin gjithë Kroacinë. Mirëpo, në praktikë, iu doli “dardhë me bisht të gjatë”, sepse, e humbën shansin historik, që ua dhuroi “Plani Z4”, i hartuar dhe i pezentuar nga Lord Carrington dhe David Owen përfaqësues të BE-së (1995).
Pra, duke qenë se politika bëhet në afat të gjatë dhe, se çdo tentim për “riprovimin” e gabimeve të saj, ka çmimin shumë të shtrenjtë për interesat vitale të një shteti, atëherë, jo vetëm qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi, Parlamenti i Jakup Krasniqit dhe Presidenca e Atifete Jahjagës, por i gjithë spektri politik (pozitë dhe opozitë), duhet të mbajnë parasysh faktin se Bashkësia(Asociacioni) i Komunave serbe, është bazamenti i çeliktë i copëtimit territorial të Kosovës mbi baza etnike, që do të thotë rajonalizimin kantonal administrativ, politik, ekonomik, financiar, juridik dhe kushtetues autonom të entitetit serb. Në perspektivë, formimi i një bashkësie të tillë etnikisht të pastër serbe, do thotë krijimin e një minishteti të pavarur serb në zemër të Kosovës së Shqipërisë. Kjo nuk është e diskutueshme! Këtë “nuk e shohin” dhe, aq më keq, nuk e pranojnë vetëm ata, që janë penduar pse e kanë luftuar sundimin kolonial dhe gjenocidal të Serbisë nga Kosova e Shqipërisë Etnike (1989-1999).
Pavarësisht nga amplituda e trysnisë së jashtme, që postfestum (pas mbylljes së statusit të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008), të dialogohet me Serbinë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, pala negociuese shqiptare, nuk do të duhej, të pranonte kurrfarë formule të krijimit të ndonjë asociacioni të komunave serbe në Kosovë, sepse ky do të ishte instrumenti më oportun politik dhe strategjik i Serbisë, që gradualisht ta rikthente sovranitetin kolonial të saj në Kosovën shqiptare.
Për më tepër, formimi i Bashkësisë komunave serbe në Kosovë, do të ishte barriera e pakapërcyeshme politike dhe faktike, që Kosova të bashkohej me Shqipërinë.
Po qe se do të ndodhte një gjë e tillë, kryeministri Hashim Thaçi, jo që do t’ia arrinte zbatimin e ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës në komunat e bashkuara serbe, por as që do t’i jipej mundësia, të kalonte nëpër territorin e tyre të centralizuar dhe të ndaluar për shtetasit e Republikës së Kosovës.