Cikël poetik nga Jorgo Telo
1.NË PAÇIM
(Mendësi femre)
Mund të jem e jotja
një ditë
si flladitja në behar
apo
si prushi në janar.
Shoqi-shoqin në paçim
si drita në sy,
pendesë nuk do kemi
kurrsesi.
2. LODRA NË QIELL
Në ekran të qiellit
mblidhen e hapen retë.
Sa shfaqet Venera,
zhduket një Kometë.
3. HAPUR
Eja, eja, kapma llërën!
Mos më lër
në cak vetmie!
N’gjoksin tënd më ke
të tërën…
Tok të bredhim
nëpër yje.
4.FRYMËMARRJE
Për të mos e ndjerë
fillikat
veten,
e gjitha një ditë
do të të jepem…
Duke “firmosur”
ardhmërinë;
në frymë të shoqi-shoqit
do marrim frymë…
5. TI, BILBIL!
Ti, bilbil, që rri mbi ftua,
Bilbileshës çfarë ì flet?
Ziliqare
më bën mua.
E kam mikun në kurbet…
6. SHTËLLUNGËZA
Mos e larë je me qumësht,
moj shtëllungëza e bardhë?
Syri y yt (me punë, pa punë)
po djeg sytë kureshtarë.
Mos e hiq vellon, se ì çmende,
ì tërbove ç’janë përreth.
Shpejt një cohë hidhiu llërëve.
Shih, si “bletët” po i mbledh…!
Vur një tufëzë me lule
ashtu kot atje mbi gjoks
T’gjorëve djem zemrën ua shkule.
Mos ì digj të shkretët, mos…!
Moj shtëllungëza plot dritë,
po ku ishe gjer tani?
Si ì fshehe qafën, gjinjtë,
gjersa u bëre nuse ti?
O ik larg nga lagjia jonë
e ta mbledhin mendjen djemtë;
o shëmtohu , sa s’ësht’ vonë,
se sëmure dhe ne pleqtë!
7. MOJ E VOGËL BALLËDRITË!
Moj e vogël ballëdritë,
Pse, moj, pse po m’ì ngul sytë?
Ç’ì trazove me të mitë
Si në blu si të jeshiltë.
Oh, e di, moj lodërtare;
Me vështrime
më ngordh fare.
Tëpkën si një magjistare
Zemrës m’iu bëre pjesëtare…
8. EH, TA DIJE!
Eh, ta dije, ëndrra ime,
si më vjen e si më ikën…!
Dhe më tepër do të rrije
nën çarçaf, pa ndezur dritën…
Eh, ta dije, mikja ime,
sa jam lodhur me ngarendje…!
Nëpër diell, nëpër hije
dot s’të gjeja, ku mërzeje…
Eh, ta dije, shpresa ime,
sa për ty kam vrarë kohën…
Nuk do hidhje pëshprime,
kur zëplot
të “zgjonim” botën…
Eh, ta dije, faqepjeshkë,
si jam tretur veç në heshtje…
Zemrat tona porsi eshkë
prisnin vetëm rast për shkrepje….!
9. SIKUR
Siku të mos qante hidhur
shpirti ynë,
Sikur të mos ì lajmë sytë
me kokrra loti;
Sikur të mos mbetej brymë
mbi blerim;
Kështu do rreknim
të na shkonte moti…
10. DËSHMITARËT
T’ì hedhim matanë
dhimbjet e kota.
Të grishim
më të ëmbëlat
psherëtima.
Për ne të dy
qofshin dëshmitarë
qielli dhe toka.
11. DHURATË
Mblodha këngë
kanarinash.
Ndolla ngjyrat e ylberit
dhe aromë trëndafilash.
Po t’ì nis me flatra…
Merri!
12. NË TRI KOHË
(Mendesi vajze)
Do të quhesha mëkatare
në tri kohë:
Edhe kur të t’ì kundërshtoja
Prerazi
dëshirat.
Edhe po të të dorëzohesha
pa përfillur ndjesirat…
Edhe… të heshtja fare…
Tri herë mëkatare.