Portreti i një heroi që u dënua se ishte … njerëzor…

Portreti i një heroi që u dënua se ishte … njerëzor…

Nuk do të doja të përdorja fjalën hero që fatkeqësisht u keqpërdor nga regjimi komunist për 45 vjetë aq sa, kur kujton se regjimi stalinist krijoi heronjë nga hiçi dhe ata që ishin në fakt heronjë i zhduku, i persekutoi, i përbuzi, të duket se kjo fjalë e ka humbur peshën e saj. Dhe, nëse dëgjoni për dikë se ka qenë vërtet i persekutuar, dijeni se ai ka patur vlera se ai regjim nuk godiste kot. Sidoqoftë, le t’i rijapim kuptimin e vetë fjalës hero.

Portreti i personazhit për të cilin dua t’iu flas, ka zënë një vend të veçantë në fëmijërinë time. Duke qenë se kam lindur në një nga zonat më të thella të Tepelenës, zonë që siç kam shkruar edhe më parë, kurr nuk iu dha ndonjë rëndësi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, di që ajo sidoqoftë kishte një privilegj : të kishte në mesin vetë personalitete që partia i dërgonte për t’i dënuar apo siç quhej rëndom për t’i internuar. Nuk po zgjatem të flas për gjithë ata personazhe që i vinin zonës sonë. Po ndalem tek njëri që mendoj se ishte edhe ai që ka lënë më shumë gjurmë atje : Doktor Thoma Dardeli.

Heroi shqiptar i revolucionit hungarez të tetorit 1956

Këtë vit mbushen plot 55 vjetë nga lëvizja e popullit hungarez për liri e demokraci. Ndonëse ajo ishte një lëvizje e forcave më përparimtare hungareze, do të duket paradoks, por edhe shqiptarët kishin përfaqësuesin e tyre në këtë lëvizje. Thoma Dardeli ishte një nga studentët shqiptar që pati fatin të studioi në kryeqytetin hungarez Budapest. Kur e pyet për Hungarin, Dr Dardeli buzëqesh dhe thotë: “Hungaria më bëri njeri. Nëse nuk do kisha qenë në Hungari, ndoshta do isha bërë ndonjë komunist i keq…”. Studenti shqiptar, ishte në vitin e fundit të mjeksisë kur filloi lëvizja për demokraci në Hungari. I riu shqiptar u hodh pa mëdyshje në krahun e lëvizjes për liri dhe demokraci të popullit hungarez. Ai merrte pjesë për ditë në manifestimet që organizonin studentët dhe mbarë rinia hungareze. Dhe, gjithshka dukej se po shkonte sipas dëshirës së organiztaorëve pasi hungarezët nuk e kishin dashur dhe as përkrahur ndonjëherë regjimin komunist të instaluar nga forca e armëve të ushtrisë së kuqe. Por ishte po kjo ushtri që i dha edhe goditjen finale lëvizjes për liri dhe demokraci të popullit hungarez duke e mbytur atë me gjak këtë lëvizje apo siç njihet tash si revolucioni hungarez i tetorit. I ndodhur në vorbullën e këtyre ngjarjeve pa precedent në vendet e Lindjes, i riu shqiptar do të vinte në provë humanizmin e tij. Duke qenë kokë e këmbë në dispozicion të lëvizjes popullore që kërkonte përmbysjen e regjimit komunist hungarez, ai ndihmonte edhe në aspektin mjeksor manifestuesit. Por, edhe pse i lidhur me mish e me shpirt me këtë lëvizje të popullit hungarez, kur vjen puna e të qenit mjek ai tregon etik profesionale dhe fisnikëri tek merr përsipër kurimin e një ushtari rus të dërguar nga padronët e tij për të shtypur lëvizjen demokratike në Hungari. Të pambrojtur nga vërshimi rus, pas shtypjes së lëvizjes, studentit shqiptar iu desh të largohej për në Çekosllovaki (Sllovaki) e prej andej të kthehet në Shqipëri ku komunistët nuk do t’ia falnin kurr pjesmarrjen në lëvizjen hungareze për demokraci.

Kalvari i pafund me emrin Shqipëri

Shqipëria do të bëhej laboratori për të njohur karakterin e vërtet të “njeriut të ri” njeri i cili, i mbetur pa kolonë vertebrale, ishte gati të shiste vëllain, motrën, gruan, burrin por që fatëmirësisht njohu edhe njeriun që ngeli njeri qoftë edhe duke sakrifikuar. Kalvari që do të ndiqte nga mbrapa Dr Dardelin, nuk do t’i ndahej gjer sa regjimi komunist të ndryshonte (por jo të jepte frymë…). Lufta që iu bë Dr Dardelit ishte sipas imazhit që donte t’i jepte diktatori kësaj dukurie… lufta e kl(l)asës herë ashpërsohet dhe herë zbutet por ajo kurr nuk zhduket…Kështu, i sapodiplomuari në mjeksi do të emërohet në Berat për t’u arrestuar dhe dënuar me tetëmbëdhjetë vjetë burg, nga të cilat vuajti plotë tetë vjetë. Por për komunistët, tetë vjetë nuk ishin tamam. Sidoqoftë, Dr Dardelin e hedhin në Shkodër, qytet që ai e radhit pas Hungarisë për nga shkalla kulturore që reflektonte, për nga kollektiviteti apo shpirti i solidaritetit mes të rinjëve. “Aty kemi njohur një shoqëri të pastër e të vërtetë mes njëri tjetrit. Shkodra më ka ndihmuar shumë”, shprehet Dr Dardeli. Aty, ai do të njohi edhe bashkëudhëtaren e tij në rrugën e gjatë të jetës, rrugë e mbushur me gëzime por dhe me vuajtje, Justinën. Dhe lidhja e këtyre dy të rinjëve do të vihej në provë pikërisht në Buzin e largët të Tepelenës…

Çifti i dashur për buziotët por në shënjestrën e sigurimit

Spitali i Buzit (Ashtu siç ka mundur të mbijetoi…) 2007

Doktor Dardeli mbrriti në Buz në vitin 1970. Doktori i ri dinte t’ia bënte vendin vetes. I përkushtuar ndaj njerëzve, ai dinte t’u imponohej edhe eprorëve të vet duke kërkuar kushte më të mira për banorët e kësaj zone të harruar nga autoritetet. Kështu, doktor Dardeli u bë promotori i ndërtimit të spitalit të Buzit. Spitali i Buzit, një spital modern për kohën u bë vendi ku u kuruan e shëruan qindra buziot dhe ku lindën dhjetra e dhjetra fëmijë. Me kujdesin e tij për pacientët, puna edukuese për higjenën dhe mënyrën e jetesës, nuk kishte se si të mos fitonte menjëherë zemrat e buziotëve dhe edhe simpatinë e kolegëve të tij që përfitonin nga mënyra organizimit të punës nga ana e tij por edhe nga ana profesionale. Ardhja e bashkëshortes së tij në Buz, shënoi një fazë të re në marrdhëniet e tij me buziotët. Justina, e sapodiplomuar në jurisprudencë ishte një aristokrate për kushtet e Buzit. Bijë e një familje intelektuale, ajo vinte nga një Shkodër avangardiste në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë. Në këto kushte, një qytetare që nuk e kishte parë fshatin me sy, (në kuptimin e të jetuarit…) duhet të përshtatej me kushtet e fshatit tepelenas të asaj kohe për të respektuar e për t’i qenë afër të dashurti të saj, Thomait. Ajo kujton se si e shikonin me kuriozitet në Buz kur ajo lyhej dhe vishej. Ajo do të bënte gjithëçka për t’u përshtatur me këtë ambient disi të “egër” për të. Kështu nga juriste ajo do shndërrohej në mësuese shkolle. Aty, ajo do të bëhej nënë e një vajze që i vunë emrin Ana. Ajo nuk ka se s’i të mos i filloi kujtimet e saj për Buzin nga fundi, aty ku eshe u vulos edhe faza e fundit e marrdhënieve të saj me atë fshat të largët, fazë e projektuar shumë më para se burri i saj të vinte këmbën në të…

Por, nëse çifti kishte një popullaritet të jashtëzakonshëm tek buziotët e thjeshtë, partia dhe vegla e saj besnike, sigurimi, punonin që t’a kapnin doktor Dardelin në flagrancë. Dhe ngaqë kapja e Dr Dardelit në flagrancë ishte e pamundur, për sigurimin nuk ishte e vështirë të fabrikonin prova për t’a fajësuar atë që në fund të fundit kishte kryer një herezi, kishte mbështetur përmbysjen e komunizmit në Hungari. Më e keqja është se në fabrikimin e këtyre provave, morën pjesë edhe disa nga “njerëzit e rinjë” të Buzit. Ata ishin thjeshtë dëshmitarë, dëshmitarë të komanduar për të dënuar dikë, dëshmitarë për të dërguar dikë në ferr. Kur e pyet Dr Dardelin për Buzin, ai të flet me respekt për Buzin dhe buziotët dhe të vjen mirë që Dr Dardeli nxjerr një rezultante pozitive për Buzin megjithë kujtimet e hidhura që shoqëruan fundin e qëndrimit të tij në këtë zonë të largët të Tepelenës.

Doktori, të cilit i pëlqente buka e bardhë

Kjo mund të duket si titulli i ndonjë romani. Jo, është titulli i një prej akuzave që iu fabrikuan doktor Dardelit. Në fakt nuk mund të themi se u fabrikua. Puna është se nuk dihet ku qëndron krimi në këtë mes.

Kur punonte doktor Dardeli në Buz, në atë zonë nuk kishte rrugë moderne makinash. Rruga e vetme që e lidhte me “botën” ishte “dhuratë” e Italisë fashiste që e ndërtoi për të sulmuar Greqinë gjatë luftës së dytë botërore. Kështu që kalimi i makinave ishte ngjarje që mund të ngjallte diskutime. Përjashtim bënte makina e postës, një “xhip” që bënte pjesë në mbajtjen gjallë të propagandës, pra shpërndante gazetat e pushtetit si dhe postën. Duke qenë se shoferët ishin qytetar ata ishin të interesuar të merrnin në kthim ndonjë produkt të freskët fshati. Ndërsa doktori dhe bashkëshortja e tij që nuk po përshtateshin dot të hanin bukën e kooperativës (bukë quhet në kushte normale…) që ishte një përzjerje mielli, krundesh, tërshëre të egër, egjëre dhe ..dhéu. Ju kujtoj se në ato vite, gruri shihej me kuaj në lëmenjë dheu të lyer me bajga (për ta bërë sa më të fortë sipërfaqen që sidoqoftë kthehej në dhé përsëri…). Kështu, ngrënia e një buke të tillë kthehej në një farë torture në vend që të ishte burim kënaqësie. Në këto kushte, doktori porosiste shoferët e xhipit të postës t’i sillnin bukë të vërtetë nga qyteti që ndryshe nga buka e fshatit, ishte e bardhë… Një gjë e tillë bënte që doktori të mos blinte bukë në dyqanin e kooperativës. Dhe, kur një njeri ndiqet në çdo lëvizje nuk ka sesi një gjë e tillë të mos binte në sy të spiunëve. Kështu edhe një akuzë më tepër në listen e akuzave që po përgatiteshin për doktorin. Ku qëndron krimi në këtë mes? Sot mund të tingëlloj si një shprehje banale, por ky qëndrim mikroborgjez i doktor Dardelit përbënte një krim. Pra, ishte krim t’i jepje kënaqësi familjes të hante bukë. Dhe kur ajo ishte e bardhë “krimi” tingëllon edhe më bindës: doktorit që i pëlqen buka e bardhë…

Postja që bëhet element akuze

Një parantez. Dua t’ju sqaroj se poste në Tepelenë i themi një copë lëkure, zakonisht qengji apo dele (por edhe e dhirtë) që pasi i hiqet qengjit, deles apo dhisë e hapim për ta tharë dhe e përdorim si element zbukurimi por edhe për të ndenjur në të. Një copë lëkure e tillë, sado e butë apo e pafajshme që mund të duket do të përbënte një nga pikat e aktakuzës së “armikut të popullit”, doktor Dardelit.

Një ditë prej ditësh, doktor Dardeli thirret në fshatin Gllavë për një urgjencë. Ai merr me vehte një koleg dhe shkojnë në Gllavë në familjen Smail Allkushit. Nëna e tij ishte e sëmurë. Pasi doktori kujdeset për të sëmurën dhe në pritje të përmirësimit të pacientes, i zoti i shtëpisë, sipas traditës së mikpritjes së zonë u shtron miqëve për të ngrënë. E shoqa e Smailit, përgatit një zog pule. Doktorit i bënë përshtypje një poste dhe u bënë pyetje reth saj. I zoti i shtëpisë, pasi i shpjegon se çfarë është e si e përgatisin, në shenjë respekti e mirënjohje ia dhuron posten. Shoqëruesit të doktorit nuk i shpëton asnjë detaj i asaj çka ndodh tek familja e Smail Allkushit. Kështu ndërtohet edhe një element akuze, përfitim nga detyra e doktorit për të kërkuar një poste nga pacientët… Absurde? Po, por sigurimit i duhet ç’do element që mund të bëjë të mundur dënimin e doktorit liridashës. Në hetuesi, hetuesit thërresin edhe gruan e Smail Allkushit. Ja disa nga pyetjet dhe përgjigjet në hetime:

-Hetuesi: – E njihni të akuzuarin

-Dëshmitarja: – Si nuk e njoh doktor Dardelin, ka njeri që nuk e njeh atë në Buz?

-Hetuesi: -Çfarë i ke bërë për të ngrënë kur ka ardhur tek ju?

-Dëshmitarja: – I bëra një zog

-Hetuesi: Mos i ke therur qengj?

-Dëshmitarja: – Jo, atë ia thera sekratrit të parë që kishte kaluar një javë para tij…

  • Hetuesi: -Moj ti, kujt i bënë krahasime të këtij armiku me sekretarin e parë… I akuzuari të ka kërkuar një poste?

  • -Dëshmitarja: – Jo, nuk më ka kërkuar ai një poste por ia kam dhënë unë.

Në fund, gruaja e mirë, jo vetëm që nuk u bë vegla e hetuesve por u largua pa ua dhënë dorën atyre. Ajo e përshëndeti Dr. Dardelin duke i thënë “Bëhu i fortë doktor”. “Ajo ishte trime, ajo ishte burrnesh” shprehet doktor Dardeli tek kujton qëndrimin e kësaj gruaje fisnike.

Fundi i parapërgatitur i qëndrimit të doktorit në Buz…

Fundi i doktor Dardelit në zonën e largët tepelenase ishte parapërgatitur. Sigurimit i duheshin prova për të diskredituar këtë intelektual e humanist, këtë njeri që gëzonte dashurinë e buziotëve të thjeshtë. Dhe në gjashtë vjetë, sigurimi mblodhi prova si ato që përmendëm më sipër por edhe “gabime” profesionale. Vdekja e një pacienti në momentet e mbrritjes në spital i “faturohet” doktorit ndonëse ai kishte bërë përpjektjet maksimale. “-je paraqitur me vonësë përderisa të ka marr dhjetë minuta për t’u paraqitur në spital”. Dhe ngaqë edhe ata vetë e dinin se akuza të tilla ishin qesharake i hyjnë dokumentave, raporteve, recetave …

Për të treguar se çfarë raportesh kishte doktor Dardeli me Buzin dhe buziotët, mjafton t’u themi se doktor Dardeli u kërkoi organeve drejtuese të kohës një gjë që ishte e modës në atë kohë: të gjykohej nga populli i Buzit. Por, ata që e përgatitën arrestimin e tij, jo vetëm që e dinin respektin që gëzonte doktor Dardeli në Buz por nëse do të pranonin ta gjykonin para popullit, do t’u duhej të “mbronin” akuzat e mbledhura dhe dëshmitarët që duhet të dilnin në dritëne diellit…Kështuqë, zgjidhja që i dhanë ishte … gjykimi sipas metodave të partisë…

Momentet e fundit duken edhe më tragjike në rrëfimet e Justinës. Ajo e kishte nuhatur arrestimin e të shoqit dhe bëri të pamundurën për të evituar arrestimin e të shoqit. Si juriste që ishte ajo i dinte të gjitha difektet dhe mungesën e provave për të arrestuar burrin e saj. Por, nga ana tjetër ajo e dinte se kishte të bënte me një mur. Ajo tregon ngjarje e persona të lidhura me ato ditë tragjike. Një i njohuri i tyre punonte si sekretar i Hysni Kapos, një nga njerëzit e fuqishëm të regjimit. Dhe ky person i ndihmoi. Por, aty u pa se sigurimi ishte më i fortë edhe se partia vetë, apo arrestimi i doktor Dardelit ishte një veprim që askush nuk mund t’a ndalte…

Dhe arrestimi erdhi. Justinës i bie barra të mbaj vajzën e sapo lindur dhe të përpiqet për të mbrojtur burrin me ç’do kusht. Larg familjes së vetë që ajo nuk donte ta shqetësonte, ajo tregon me dhimbje largimin e një pjese të miqve dhe të njohurve të saj. Një nga ato netë që ajo kalonte në Tepelenë për çështjen e doktor Thomait, vonë kur nuk kishte ku të shkonte, ajo shkoi tek familja e E. me të cilën kishin ngrën e kishin pirë. Motra e saj e futi brenda por shpejt i kërkoi të largohet me pretekstin se ajo duhet të shkonte diku. Justina iu lut të rrinte aty se nuk kishte ku shkonte, ishte natë. Por motra e mikes së saj ia pret shkurt “-Dil jashtë!” Me dhimbje Justina tregon se ai ka qenë momenti më vështirë i jetës së saj, moment që i ka shkuar mendja edhe për t’i dhënë fund jetës… Por, kujton ajo, sapo dola nga andej, takova një mik, që më çoi tek një familje që e njihnim dhe e traumatizuar nga pritja e motres së mikes sime, pyetja e parë që u bëra ishte “a mundem me fjes sot tek ju?”. Por ata nuk ishin si motra e mikes sonë…

Ndonëse pa prova, sigurimi nuk mund të pranonte arrestimin e dikujt dhe ta lëshonte të pafajshëm. Kështu, doktor Dardeli u dënua me 3 vjetë, dënim që e kreu kokërr më kokërr.

Epilog

Pas dënimit, doktor Dardeli shkoi në Shkodër. Aty e hodhën me punë në zona të thella të Shkodrës ku si gjithmonë ai punoi si ai. Një njeri dhe një mjek si ai, dinë t’ia bëjnë vendin vetes. Dhe ashtu si në Tepelenë ata ishin në modë mbijetesë. Ai dhe familja e tij ishin të ndërgjegjëshëm se ishin të ndjekur këmba-këmbës nga arma e dashur e partisë dhe nga besnikët e saj. Dhe ata mbijetuan. Doktor Dardeli tregon se nuk ishte e thjeshtë. Si mjek atij ai herë-herë duhet të sprovonte humanizmin e tij edhe me ata që donin t’i bënin “gropën”. Dhe kur dikush i thoshte “Po si është e mundur Thoma që vajte tek filani që nuk po lë gjë pa bërë që të shikoj në Spaç?” doktori i përgjigjej me qetësi: “-E ke gabim, nuk ka qenë Thoma Dardeli që ka shkuar atje… ka qenë vetëm doktori…” dhe doktor Dardeli pohon me krenari se gjatë gjithë jetës së tij si mjek kurr nuk ka bërë dallim mes njerëzve dhe nuk i ka ndar në të mirë e në të këqij. Pas vitit 1990, doktor Dardeli dhe familja e tij, i gëzohen lirisë dhe demokracisë. Ai është shumë i rreptë me filokomunistët. Për ata që ankohen për demokracinë në Shqipëri doktor Dardeli thotë: “Nuk është e përsosur por nuk krahasohet me kohën e Enverit kur të kalbnin për një fjalë goje”

Sot doktor Dardeli jeton me bashkëshorten e vetë Justinën në Tiranë. Që në fillim të viteve ’90 ai ka vendosur lidhje të ngushta me vendin për të cilin ai luftoi për liri e demokraci, Hungarinë. Ndonëse kanë kaluar vite nga koha kur ai ka studiuar në Budapest, ai është i dashuruar pas kulturës së atij vendi. Ambasada hungareze në Tiranë e ka në krye të listës së të ftuarëve. Në një nga këta aktivitete, në shfaqjen e një filmi, isha dhe unë i pranishëm … si mik i doktor Dardelit. Ndonëse ai është i rrethuar nga miq e shokë nga të gjitha trevat shqiptare, ai nuk harron të “integroi” në të përditëshmen e tij edhe miqtë e tij buziotë. Ndërkaq, të dy fëmijët, kanë ndjekur rrugën e prindërve të tyre, vajza ka studiuar në Romë dhë është mjeke në një nga spitalet më me emër të Italisë, në Xhemeli të Romës ndërsa djali ka studiuar jurisprudencë dhe sot jeton e punon pranë prindërve në Tiranë i punësuar në një kabinet avokatësh.

Unë dhe doktor Dardeli

Unë kam qenë shumë i vogël kur ka ardhur doktor Dardeli në Buz. Sigurisht nuk e mbaj mend një ngjarje të tillë. Por, më pas ndonëse isha i vogël togëfjalëshi “doktor Dardeli” futej aq shumë në bisedat familjare saqë edhe unë isha ndërgjegjësuar se ai ishte dikushi. Por, një herë (duhet të kem qenë 5 vjeç) shkova në spital dhe e dija që do takonim doktor Dardelin. Nuk i mbaj mend të gjitha por mbaj mend që doktor Dardeli më tha “si është ky shoku im”. Nuk e di por, të ishe shoku i doktor Dardelit është si të fitosh sot një medalje olimpike. Doktor Dardeli dinte të shëronte por edhe të fitonte edhe zemrat e njerëzve pavarësiht nga mosha. Unë nuk isha i vetmi. Një histori pak a shumë të ngjashme tregon edhe vëllai im më i madh, Esati. Por, edhe kur doktor Dardeli u largua, babai shpesh herë na tregonte përshtypje nga takimet me doktorin por edhe një shprehje që e kishte dëgjuar pikërish nga doktor Dardeli. Konteksti i kësaj historie kishte të bënte pikërisht me faktin se doktori nuk mund të fliste dot hapur, nuk mund të tregonte çfarë kishte parë apo jetuar në Hungari. Kështu një ditë xhaxhai im, që ishte një njeri tejet kurioz për të njohur vende e njerëz, kultura e tradita e pyet doktor Dardelin: – Doktor, me se udhëtonin në Hungari (mjetet e transportit…). Doktori, pa një pa dy i përgjigjet: – Me gomarë… Pas pak, duke par se bashkëbiseduesi u prek nga përgjigja e doktor Dardelit, shtoi. Dëgjo Nure (emri i xhaxhait tim), njeriu mbarset nga veshi e pjell nga goja. Nëse unë do të të them se në Budapest lëvizej me tramvaj, gjithë fshati do ta marr vesh një gjë të tillë. Sigurisht që fakti se me lëvizej në Hungari ngeli në familje por ai u bë shkak që të kishim shprehjen “njeriu mbarset nga veshi dhe pjell nga goja” siç thoshte doktor Dardeli… Simpatia dhe respekti që shprehnin më të mëdhenjtë e familjes tek flisnin për doktor Dardelin (xhaxhai dhe babai im) tregonin miqësinë që i lidhte me këtë personalitet. Tek e fundit, regjimi u kishte rezervuar të njëjtin fat, të ishin armiq të regjimit…

Pas 1990 nuk kam lënë rast pa pyetur për të marr të reja nga doktor Dardeli. Kisha marr ndonjë lajm por asgjë më tepër. Në fillim të 2009 hasa në facebook me dikë që kishte emrin e familjes Dardeli. Nuk hezitova dhe shkrova se doja të dija se ç’kishte të bënte me doktor Dardelin. Nuk vonoi dhe përgjigja erdhi. Ishte djali i doktor Dardelit. I shkruajta si isha nga Buzi dhe se familja sime ushqente respekt të jashtëzakonshëm për doktorin. Ndonëse djali jetonte në Itali, i kishte transmetuar babait të vet përshëndetjet e mia.

Në datën 23 maj, në ceremoninë mortore të organizuar për të përcjellë në banesën e fundit babain tim, na u gjendën pranë shumë e shumë miq të vjetër e të rinjë, të afërt e të largët. Në atë ceremoni do të gjendej edhe miku ynë i vjetër i familjes sime por edhe gjithë buziotëve të thjeshtë doktor Dardeli. Ngaqë e morëm vesh pjesëmarrjen e tij pas ceremonisë, e ftuam në shtëpi dhe ai erdhi me kënaqësi. Kështu u ritakuam pas pak më shumë se 35 vjetësh. Ndërkohë, vjehrri im, z. Përparim Zaça ka qenë koleg i tij në vitet kur ai punonte në Buz. Një rasti i mirë për të rikujtuar ato vite veç tash, edhe veshi mund të mbarsej edhe goja mund të pillte… Ngaqë unë vija nga larg doktor Dardeli erdhi edhe njëherë tjetër për të më takuar, duke mos harruar të më sillte edhe suvenire…

Hero?!

E nisa këtë shkrim duke shkruar për fjalën hero me të cilën është abuzuar. Në kohën e diktaturës, një njeri që shkiste e rrëzohej e si pasoj vdiste mund të bëhej hero. Megjithë keqardhjen për humbjen e një jete njeriu, për raste të tilla ka fjalë të tilla si viktimë, kokëkrisur (po mund t’i themi edhe guximtar) por jo hero. Por, ngaqë heroizmi në atë kohë nuk kishte ku të shfaqej, na duheshin krijuar heronjtë, herronjë që punonin për shekullin e 22-të, herronjë që i bënin dhitë të buronin qumësht, heronjë që e kishin kthyer minierën në shtëpinë e tyre të dytë, heronjë që … E kështu fjala hero u vulgarizua, u keqpërdor, aq sa nuk të frymëzon më si fjalë. Heronjtë e vërtetë, ata që luftuan për liri nuk i përmend kush. Nëse ka një gjë që më pëlqen jashtë mase tek amerikanët, ajo është respekti që ata tregojnë për këdo që ka sakrifikuar për Amerikën, pavarësisht si, pavarësisht kur, pavarësisht ku. Personazhi për të cilin unë fola më sipër, e ka origjinën nga një fshat i Delvinës. Çuditërisht për një personazh të dal nga ajo zonë u bë një libër kohët e fundit. Libri u titullua “Greku që u bë ministër i mbrojtjes i Shqipërisë!”. Një nga meritat më të madha të këtij njeriu na qenkësh se kishte dhënë urdhër të goditeshin anijet me refugjatë shqiptar që donin të linin Shqipërinë për të shkuar në Itali në pranverën e vitit 1991. O tempora o mores… 20 vjetë pas ndryshimeve demokratike, ende vazhdojmë t’u servirim shqiptarëve përralla me heronjë …nga ata heronjë që veç të tjerash na morën më qafë këtë fjalë të bukur…